Banka Botërore paralajmëron vendet në zhvillim

13/06/2012 15:30

Vendet në zhvillim duhet të përgatiten për kohë të vështira dhe një nivel rritjeje ekonomike më të ulët, paralajmëroi Banka Botërore në një raport të publikuar ditën e mërkurë.

Në raport paralajmërohej për një “periudhë e gjatë paqëndrueshmërie në ekonominë botërore, ndërsa kriza e borxheve në Eurozonë do të përshkallëzohet e pritet të ketë rrjedhoja të thella në ekonomitë e vendeve në zhvillim”.

Sipas “BB”, ekonomitë e “botës së tretë” do të rriten mesatarisht me 5,3% gjatë vitit, një prej normave më të ulta ndonjëherë dhe një rënie e qartë nga 6,1% rritje në vitin 2011.

Në këtë kuadër, Banka Botërore i kërkoi ligjvënësve në vendet në fjalë që të marrin masa afatgjata, në mënyrë që të mbështesin rritjen dhe të mbrojnë vendet e tyre nga vorbulla botërore.

”Vendet në zhvillim duhet të përqendrohen në reforma për rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e infrastrukturës, në mënyrë që të përballojnë situatën e pafavorshme ndërkombëtare”, theksoi Hans Timmer, drejtor i analizave për zhvillimin në Bankën Botërore.

Në raport paralajmërohej për një përshkallëzim botëror të krizës së euros, nëse ekonomi të mëdha të rajonit, si Spanja apo Italia, do të kenë nevojë për kreditime të tjera madhore.

Gjithashtu, ngadalësimi i disa ekonomive të mëdha, si ajo kineze, indiane apo braziliane, do të ketë rrjedhoja gjithashtu të thella në ekonomitë e vendeve në zhvillim.

Top Channel