Siri, fëmijët si mburoja njerëzore

12/06/2012 00:00

Trupat siriane kanë torturuar fëmijët dhe i kanë përdorur ata si mburojë
njerëzore para tankeve për të parandaluar sulmet nga forcat e opozitës.

Përfaqësuesja e posaçme e OKB-së për Fëmijët dhe Konfliktet e Armatosura ka deklaruar se të miturit po torturohen në qendra burgimi dhe po vriten në masakrat masive.

Raporti i përfaqësueses së Kombeve të Bashkuara thotë gjithashtu se edhe forcat rebele po përdorin fëmijët në frontin e luftës. Radhika Coomaraswamy tha për BBC se ekipi i saj është kthyer nga Siria me raportime “të tmerrshme”.

Ajo theksoi se nuk kishte parë kurrë një situatë të tillë, ku fëmijët nuk kurseheshin, por përkundrazi goditeshin nga armët në këtë konflikt të përgjakshëm.

“Ne patëm gjithashtu dëshmi dhe pamë fëmijë që ishin torturuar dhe që mbanin në trup shenja torture. Gjithashtu dëgjuam për fëmijë që po përdoren të vendosur në tanke dhe si mburoja njerëzore në autoblinda, në mënyrë që ato të mos qëllohen”, tha përfaqësuesja, e cila i drejtoi akuza edhe opozitës siriane.

“Për herë të parë kemi dëgjuar për fëmijë që po rekrutohen nga Ushtria Çlirimtare Siriane kryesisht në frontet mjekësore, por që janë gjithësesi në vijën e luftës”, shtoi Coomaraswamy.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Sirinë se po planifikon një tjetër masakër, ndërkohë që sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka dënuar rritjen e dhunës.

Top Channel