Protesta anti-Putin në zemër të Moskës

12/06/2012 00:00

Mijëra protestues anti-qeveritare po marshojnë në Moskë, në kuadër të
një tubimi për të kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve ruse dhe një
president të ri.

Protesta, e mbajtur në një ditë pushimi zyrtare, vjen një ditë pasi policia bastisi shtëpitë e disa prej figurave kryesore të opozitës.

Një nga ata, Sergei Udaltsov, refuzoi një urdhër për t’u paraqitur në polici për t’u marrë në pyetje dhe për këtë iu drejtua me një fjalim turmës.

Javën e kaluar, presidenti Vladimir Putin firmosi një ligj që ri që parashikon rritjen e gjobave për ata që shkelin ligjet e protestave.

Zoti Putin fitoi mandatin e tretë presidencial në mars, pavarësisht protestave masive të qytetarëve rusë, që prentendonin për manipulime në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2011.

Kjo është protesta e parë e madhe anti-qeveri që mbahet në Rusi që kur Putin u kthye në krye të Kremlinit, deklaron korrespondenti i BBC në Moskë, Steve Rosenberg.

Në rrugët e Moskës ka dhjetëra mijëra protestues, një det me flamuj dhe parulla të shumta, njofton më tej korrespondenti i rrjetit informativ britanik.

Gjithashtu, protestuesit bërtasin fraza të tipit “Putin, një hajdut” dhe “Rusia pa Putin”. Nga ana e tij, presidenti rus ka bërë thirrje që të mos lejohet që Rusia të dobësohet nga “tronditjet sociale”.

“Nuk mund të pranojmë asgjë që dobëson vendin tonë apo që përçan shoqërinë”, deklaroi ai në një prononcim televiziv.

Ekonomia ruse është ndër më të fortat në botë dhe është konsoliduar përmes eksporteve të naftës dhe gazit, si dhe drithërave, për të cilat Rusia është ndër vendet më të mëdha prodhuese.

Por kjo pasuri nuk është shpërndarë tek qytetarët të cilët jetojnë në varfëri. Shumë gazetarë rusë thonë se Putin ua ka shpërndarë atë njerëzve të tij të afërt, disa prej të cilëve vijnë nga radhët e ish-KGB-së.

Top Channel