Moda e këngëtareve gangsterë në Shqipëri edhe pse s’ka shumë që ka filluar ka bërë për vete qindra fansa.
Mjafton të klikosh me emrin e një bande të tillë në rrjetin social Facebook dhe shikon pafund të rinj që emrin e bandës e kanë bërë pjesë të emrit të tyre.
Fyerje ekstreme priten e përcillen nga fansa të bandave të ndryshme, djem dhe vajza, sa herë që komentohet për keq emri i grupit apo lideri i tij.
Por, ajo çfarë reflektohet tek baza, vjen nga sjellja e liderave të grupimeve, të cilët jo rallëherë janë përfshirë në konflikte serioze për jetën.
Katër janë grupimet më të njohura në Shqipëri e Kosovë, të cilët i kanë shpallur njëri-tjetrit aleanca dhe armiqësi, jo vetëm nëpërmjet dhunës verbale me tekstet e këngëve, por edhe konfrontim fizik madje të armatosur.
OTR, (On top of the rest) që njeh si lider Noizin, Stresi me përkrahësit e tij, TBA (The bloudy alboz) që përfaqësohen nga Unikkatili dhe Babastars ku bëjnë pjesë këngëtarët nga Kosova: Getoari, Ledri etj.
Plagosja dy vjet më parë e dy anëtarëve të grupit OTR dhe të grupit të Stresit e më pas konflikti me armë tek Pallati i Kongreseve janë vetëm dy nga ngjarjet më të bujshme të pasqyruara në kronikën e zezë.
Kohët e fundit po aq i bujshëm ka qenë konflikti me grushta mes Noizyt dhe Babastars në aeroportin e Zyrihut.
Youtube bëhet zakonisht tenxherja ku gatuhet procesi i krijimit të një sherri. Një këngë apo video e hedhur aty që ofendon palën tjetër, sjell menjëherë kundërpërgjigjen po me një këngë të bandës rivale duke krijuar kështu një vatër sherri.
Reagime të tilla transferohen dhe amplifikohen tek fansat e grupeve, adoleshentë të moshës 13-18 vjeç, të cilët ingranohen në situata të tilla për shkak të emrit të grupit.
Sipas të dhënave nga policia, jo rallëherë adoleshentë të armatosur dhe me makina kanë krijuar panik në lagjet e Tiranës duke qëlluar me armë.
Top Channel