Afganistan, 80 të vdekur nga tërmetet

12/06/2012 00:00

Mbi 80 persona besohet se kanë vdekur në një rrëshqitje masivi dheu e
gurësh të shkaktuar nga dy tërmete në veri të Afganistanit ditën e hënë,
njoftojnë autoritetet lokale.

Një pjesë e malit u shëmb duke varrosur një fshat të tërë, ka bërë të ditur guvernatori i provincës së Baglanit.

Autoritetet thonë se buldozerët ndodhen atje në përpjekje për të rekuperuar trupat e viktimave, por deri tani janë gjetur vetëm dy kufoma.

Kombet e Bashkuara deklarojnë ndërkohë se po punojnë ngushtë me zyrtarët vendas për të caktuar nevojat që kanë zonat e goditura.

Guvernatori i Baglanit, Munshi Majeed tha për BBC se druhet se ka pak shanse për të gjetur të mbijetuar në 23 shtëpitë e varrosura nga dheu, të cilit i ka shpëtuar vetëm një banesë.

“Kjo është një tragjedi njerëzore. Një fshat i tërë është zhdukur. Dy buldozerë ndodhen në zonë për të rekuperuar trupat e vdekur, ndërkohë që për të mbijetuar ka pak shanse”, ka thënë guvernatori.

“Ne kemi parë pjesë trupash në disa zona. Fshatarët kanë punuar me përkushtim, por asnjë zë apo tingull nuk është dëgjuar”, ka shtuar ai.

Top Channel