Kili, përplasje mes protestuesve dhe policisë

11/06/2012 08:00

Qindra protestues në Kili janë përplasur me policinë pas transmetimit të një dokumentari ku lavdërohet ish-udhëheqësi ushtarak, gjenerali Augusto Pinochet.

Kryebashkiaku i kryeqytetit Santiago, Pablo Zalaquett, theksoi se efektivët e policisë janë sulmuar në zona të ndryshme të qytetit ditën e dielë. Gjithashtu ai shtoi se ka pasur shumë dëme materiale.

Sipas BBC, efektivët e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit.

Protestat me sulme të organizuara ndaj policisë nisën pas transmetimit të dokumentarit mbi Pinochet në teatrin Caupolican.

Augusto Pinochet organizoi një grusht shteti ndaj qeverisë demokratike të Salvador Allende në 11 shtator të vitit 1973 dhe e la pushtetin në vitin 1990.

Qeveria e vendit amerikano-latin flet për 3000 viktima gjatë regjimit të tij dhe shumë prej trupave nuk janë gjetur akoma. Mijëra të tjerë janë torturuar, arrestuar dhe internuar kur gjenerali kishte pushtetin.

Familjarët e viktimave janë të fyer nga dokumentari që lartëson” regjimin e Pinochet, ndërsa organizatorët theksojnë se qëllimi i dokumentarit ishte të tregonte gjeneralin ashtu siç ishte në të vërtetë dhe jo siç e paraqesin mediat.

Top Channel