Turizmi detar po shënon humbje madhore këtë vit në Greqi, që ka qenë një prej sektorëve më të rëndësishëm të vendit, që numëron mbi 1400 ishuj dhe mijëra kilometra bregdet.

Si për shkak të krizës ekonomike, ashtu edhe për shkak të pasigurisë politike që mbretëron në Greqi, prenotimet këtë verë kanë rënë me 50 për qind krahasuar me vitin 2011.

Situata e rëndë është pranuar nga ekspertët e sektorit, gjatë asamblesë së 20-të të Shoqatës së Kompanive të Turizmit në shtetin helen.

Përveç turizmit, kriza financiare ka bërë që shumë hotele luksoze në lokalitetet kryesore greke të mbyllin dyert. Një hotel i madh e superluksoz në qendër të Athinës, “Athens Imperial”, bëri këtë gjë në fund të majit.

Ai ishte hoteli i tretë pas “Fashion House” dhe “Classical Acropol”, të gjithë në qendrën historike të kryeqytetit helen, që falimentoi brenda pak kohësh. Tre hotelet në fjalë i përkasin grupit “Grecotel”, i cili në këtë mënyrë ka marrë një goditje të rëndë.

Pas këtij rasti, numri i hoteleve të mbyllura në dy vitet e fundit në Athinë ka kaluar 20 dhe sipas ambjenteve turistike lokale, shifra është e destinuar të mos ndalet me kaq.

Gjithashtu, mungesa e kapitalit financiar tek qytetarët ka bërë që ata të shesin shtëpitë e tyre tek klientë nga vendet e tjera, kryesisht tek ata rusë që preferohen nga popullsia vendase.

Top Channel