Socialistët e presidentit Francois Hollande kanë dalë fitues në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare franceze dhe pritet që të sigurojnë një shumicë të qartë, tregojnë rezultatet zyrtare të së hënës.
Koalicioni i partive të majta dhe të gjelbërta fitoi më shumë se 46% të votave, krahasuar me 34% të qendrës së djathtë dhe “UMP”-së së Sarkozy.
Rezultatet e zgjedhjeve do të përcaktojnë se me sa shpejtësi do të avancojnë reformat e paralajmëruara nga Presidenti Hollande.
Një fitore e qendrës së djathtë, do të kishte detyruar Hollande që të shkarkonte kryeministrin Ayrault pas vetëm një muaji në detyrë dhe të caktonte një kryeministër të ri nga radhët e partisë së Sarkozy.
Pjesëmarrja në raundin e parë në Francë ishte e ulët, prej vetëm 57%.
46 milionë francezë me të drejtë vote duhet të zgjedhin përfaqësuesit për Asamblenë Kombëtare prej 577 votash.
Pas raundit të parë, 36 kandidatë arritën të fitonin shumicën përballë rivalëve të tjerë në zonat e tyre elektorale dhe kanë siguruar vendin në Asamble. Në raundin e dytë, ashtu si në zgjedhjet presidenciale, do të përballen në balotazh dy kandidatët me më shumë vota.
Sipas disa kompanive të specializuara në sondazhe, socialistët dhe aletatët e tyre pritet të sigurojnë në rastin më të keq 283 vende në Asamble dhe në rastin më të mirë 347.
Në këto zgjedhje është përsëritur i njëjti fenomen si në ato presidencialet, ku partitë e ekstremit siguruan një rritje të ndjeshme, me Frontin Kombëtar të Marine le Pen që grumbulloi 14% të preferencave dhe komunistët pothuajse 7%.
Top Channel