Kosova ka filluar një ditë më herët të festojë 12 qershorin “Ditën e Lirisë”, si njërën nga datat më të rëndësishme në historinë e saj.13 vjet më parë trupat e NATO-s hynë në Kosovë, që shënon largimin e forcave serbe dhe çlirimin e Kosovës. Për këtë përvjetor drejtues të shtetit dhe të partive politike kanë uruar qytetarët dhe kanë falënderuar shtetet që ndihmuan për këtë gjë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në deklaratën e saj shpërndarë mediave, shkruan se “Çlirimi dhe shpallja e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar mbi bazën e vlerave qytetare, është një vepër madhore e shumë brezave që vepruan dhe u sakrifikuan për këto ideale. Kjo arritje madhore u realizua fal luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe përkrahjes dhe angazhimit të pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë”, duke shtuar se synimi mbetet që të ndërtohet një e ardhme e dinjitetshme, bazuar në vlerat më të larta të civilizimit europian.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në deklaratën e tij shkruan se “12 qershori përbën gurin themeltar të fillimit të ndërtimit të shtetit, të gjakuar aq shumë gjatë shekujve. Është ditë e ndërtimit të vlerave qytetare, ditë që hap një epokë të re e me perspektive për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie kombëtare e fetare”. “Kosova është një faktor paqeje e stabiliteti në rajon e më gjerë duke gjetur përkrahje ndërkombëtare, posaçërisht nga ShBA dhe BE”, thuhet në deklaratën e Krasniqit.

Po ashtu, gjatë së hënës, më 11 qershor kryeqyteti i Kosovës ka shënuar ditën e çlirimit, me aktivitete të shumta. Me nderime për dëshmorët e kombit dhe për të gjithë ata që kontribouan për këtë ditë, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka zbuluar maketin e sheshit që mban emrin e dëshmorit Zahir Pajaziti, ndërtimit i të cilit do të fillojë brenda këtij muaji.

Ndërsa Qendra për Prishtinën e Lëvizjes Vetëvendosje, në një komunikatë për media shkruan se “më 11 qershor, e kujtojmë çlirimin e Prishtinës nga forcat okupuese serbe dhe në këtë ditë kujtojmë me nderin më të madh angazhimin e popullit tonë për liri”, duke shtuar se “Prishtina u çlirua më 11 qershor nga forcat okupatore serbe, por çlirimi nuk u pasua me zhvillimin e Prishtinës, por me uzurpuimin e saj nga pushtetarë të cilët interesin e tyre e vendosën para interesit të qytetarëve”.  

Top Channel