“Zgjedhja e Bujar Nishanit në detyrën e Presidentit të Republikës ishte e paligjshme, antikushtetuese dhe në kundërshtim me të gjithë rregulloret e Kuvendit të Shqipërisë”, vlerësoi deputeti socialist, Erjon Braçe, i pranishëm vetëm disa orë pas konfirmimit të Nishanit në detyrën e kreut të shtetit, në emisionin “Shqip”, drejtuar nga Rudina Xhunga.
I vendosur përballë një paneli analistësh që përfshiu Mentor Nazarkon, Ilir Kullën dhe Mentor Kikinë, Braçe akuzoi që në krye të fjalës së tij për një mungesë të plotë kushtetueshmërie. “Jemi në kushte antikushtetueshmerie totale dhe as diskutohet më kjo gjë. Edhe tani, 3-4 orë pasi është zgjedhur, Zoti Nishani vazhdon të jetë Ministër i Brendshëm, diçka që pengohet shprehimisht prej ligjit themeltar të shtetit. Kjo është pra Shqipëria, prandaj nuk është lajm i mirë ky i sotmi. Nuk u zbatua asnjë parim kushtetues. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë nëse President Topi do të refuzojë të dekretojë dorëheqjen e Nishanit nga detyra e tij?”.
Në kundërshtim të pjesshëm me qëndrimin e Braçes ishte Zoti Nazarko, që ndërhyri duke thënë: “Çështjen e presidentit duhet ta gjykojmë në këndvështrim aktualiteti dhe prespektive. Këndvështrimi i parë është ai kushtetues, ai u zgjodh në baza të kushtetutës, edhe pse me ndryshimet e 2008-s, në nenin 87 të zgjedhjes u hoqën dy mekanizma që e përforconin konsensualitetin, që kërkoheshin 5 votime me 3/5 dhe kur u hoqën dy raundet e fundit, u prish mekanizmi i parë. Truku i dytë që rrëzoi konsesualitetin ishte ai që i konsideronte raundet të kryera edhe pa kandidat. Realisht është krijuar një situatë absurd me ndryshimet e 2008-s dhe është bërë e qartë që neni 87 ka nevojë për disa prekje. Nga pikëpamja politike, procesi tregoi një degradim, nga kandidatura që ishin afër qeverisë, por që reflektonin shoqërinë civile, u zgjodh një Ministër i Brendshëm. Personalisht, midis Nishanit dhe Hoxhës ndoshta do të zgjidhja Nishanin, pasi ka qenë i vërtetë në mbështetjen e qëndrimet e koherente, ndërsa Hoxha ka kryer në mënyrë të vetëdijshme avokaturën e disa veprimeve të kësaj qeverie, veprime që nuk mund të mbroheshin”.
Megjithatë, qëndrimi racional i Zotit Nazarko nuk u nda nga socialisti Braçe, që u rikthye edhe një herë tek zgjedhja kontradiktore e Nishanit. “Unë nuk ndaj dot të njëjtin qëndrim si Zoti Nazarko dhe ky nuk është as lajm i mirë dhe as zgjedhje në bazë të kushtetutës. Ky votim është një lajm i keq dhe një shkelje flagrante e kushtetutës. Zgjedhja e Nazarkos ishte një zgjedhje e pandershme, një lajm i keq jo në frymë të kushtetuëes. Kushtetuta do një president si përfaqësues të kombit. Si mund të jetë një ministër dhe anëtar i kryesisë së PD-së, si Nishani, përfaqësues i këtij uniteti kombëtar”.
Sipas socialistëve, provat që Nishani nuk është përfaqësues i unitetit kombëtar janë të shumta, por mbi të gjitha ato lidhen me vrasjen ende të pazbardhur të deputetit të majtë, Fatmir Xhindit, në vitin 2009. “Gjatë periudhës që Nishani ishte ministër i Brendshëm u vra deputeti Fatmir Xhindi, në prag të 2009 dhe ende nuk është gjetur autori. Nuk është pak të vritet një deputet, kur vrasja e Hajdarit ka qenë një prej çështjeve themelore që shtyu edhe socialistët të hynë në disa procese konsensuale dhe që i bënë mirë Shqipërisë. U vra Xhindi dhe Nishanin e kemi thirrur kushedi sa herë dhe pas tre vitesh, asgjë s’ka ndodhur deri më sot. Berisha i vuri zjarrin Shqipërisë për Zotin Hajdari, ndërsa ne besuam tek institucionet, i dhamë kohë Nishanit dhe asgjë nuk ndodhi për të zbardhur një vrasje kryekëput politike”.
Në fjalën e tij, Braçe argumentoi edhe se zgjedhja e Nishanit ishte tërësisht antiligjore. “Arvizu, në një intervistë televizive i bëri të qartë që maxhoranca nuk po zgjedh një ministër, por kreun e shtetit dhe kërkoi seriozitet. Megjithatë, mazhoranca jo vetëm që zgjodhi sikur po zgjidhte një ministër, por zgjodhi pikërisht një ministër. Procedurat parlamentare sjellin një precedent sepse janë një katastrofë që do e vuajmë për shumë kohë. Praktika e sotme, shikoni si nisi. Nisi me këtë njoftimin (tregon dokumentin zyrtar) që në orën dhjetë kishte seancë plenare sipas vendimit të konferencës së kryetarëve. Vjen dokumenti tjetër, propozimi për kandidatin Artan Hoxha, me firma bashkëngjitur dhe raporti i komisionit të ligjeve. Ka pasur një afat kur duhet të ishin paraqitur kandidaturat dhe deri në afatin e konsumuar ishte vetëm kandidatura e hoxhës dhe pa pasur njoftim dorëheqje, seanca nuk u hap, nuk u mor parasysh vendimi i komisionit të ligjeve dhe kjo na është shpërndarë në orën pesë pasdite, që do mblidhemi prapë. Vjen propozimi i dytë, ai i Nishanit, pa asnjë afat, ndryshe nga sa e parashikon kushtetuta dhe pa njoftim nga konferenca kryetarëve, thjesht që të mos digjej raundi i katërt. Megjithatë, shkelja më e madhe qëndron tek firmat, pasi kushtetuta thotë që një deputet nuk mund të firmosë për dy kandidatura në të njëjtin raund dhe katër deputetë kanë firmosur dy herë. Nga pikëpamja proceduriale, ajo që ndodhi ishte një skandal i vërtetë. Momenti kushtetues i statusit të Zotit Nishani, aktualisht ministër, është në shkelje flagrante të kushtetës, përsa kohë s’ka dhënë ende dorëheqjen si ministër”.
Duke argumentuar mbi atë që ndodhi në Parlament ditën e hënë, Zoti Kikia argumentoi me doza kritike: “Përjetimet e Braçes janë të vërteta dhe të drejta, por në tërësinë e procesit besoj se janë përjetime periferike. E vërteta është se nëse nuk bëhej zgjedhja sot, do të bëhej nesër. Lajmi i mirë sot është që më në fund kjo dalldi mori fund, pasi mbante në ankth vendin duke konsumuar energji pa fund. Edhe pas dy jaësh kështu do shkonte, Nishani do të votohej gjithsesi. Personalisht, i gjithë procesi më duket një “Big Brother” ku secili u fut, bëri lojën e tij dhe në fund secili deklaroi se çfarë kishte bërë dhe u krijuan aleanca, u publikuan deklarime që s’pranojmë president politik, pa konsenus, etj. U konsumuan kandidaturat me apo pa vetëdije dhe në fund rezultoi se gjithçka kishte qenë një lojë, një skenar i parashkruar dhe u arrit tek i njëjti njeri njësoj si pesë vjet më parë kur nuk ngeli intelektual pa u listuar si kandidat”.
Sipas Kikisë, të hënën u konsumua një “maskaradë politike”. Dorëheqja e Hoxhës ka edhe një gjë më të shëmtuar brenda, ka një element që duket si pengmarrje tipike mafioze që një njeri hipën në makinë, ndonëse jeton 500-600 metra nga Parlamenti dhe nuk dihet ku përfundon. Rrugës i kanë thënë diçka Zotit Hoxha, askush se di se çfarë”.
Në reagimin e tij, Ilir Kulla vlerësoi disa çështje teknike, si fakti që emrat e katër firmëtarëve të dyfishtë ishin vendosur pas 20 të parëve në dokumentin e paraqitur në Parlament, ndërsa njëkohësisht cilësoi si “të pakonceptueshme” spekulimet për rrëmbimin e Hoxhës. Kulla gjithashtu fajësoi indirekt opozitën, për mospranimin e kandidaturës së parë, atë të Zotit Zaganjori apo më pas të një njeri gjithsesi me një profil civil, si Artan Hoxha, duke bërë që në fund të shkohej tek zgjedhja e një ministri si Nishani”.
Për analistin Mentor Nazarko, zgjedhja në këtë mënyrë e Presidentit të Republikës ishte e parashikuar. Zoti Nazarko tha se kryeministri Berisha asnjëherë nuk pati deklaruar se do të zgjidhte një president konsensual, por nën kërcënimin e Metës pati moderuar qendrimet e tij. Ndërsa për Ilir Kullën i gjithë procesi ishte një shfaqje arrogance nga ana e mazhorancës, që nga djegia e 3 raundeve të para pa asnjë kandidat e deri tek mbërritja tek raundi i katërt që kërkon shumcën e thjeshtë për zgjedhjet e Presidentit.
Deputeti socialist, Erjon Braçe deklaroi se është koha që Partia Socialiste të reflektojë mbi ndryshimet Kushtetuese që sollën këtë situatë, duke nisur që nga shmangia e shumicës cilësuese në zgjedhjen e Presidentit e deri tek konsumimi i raundeve edhe pa patur asnjë kandidat.
“Në Shqipëri është vështirë të bësh dialog me Kryeministrin që të vret në mes të ditës. Ky është kryeministri që ne kemi dhe që nuk e meritojmë. Sjellja e Partisë Socialiste duhet të jetë pjesë e një analize të thellë brenda PS-së, por të mos ndajmë përgjegjësinë më të madhe tek PS. Duhet të reflektojmë për ndryshimet në Kushtetutë, e para, raundet e konsumuara pa kandidat dhe shmangia e 84 votave. Është minuar besimi i shqiptarëve se mund të ndryshohet qeveria me votë. Shyqyr që u mbyll procedura që opozita t’u rikthehet problemeve reale që ka vendi”, tha Braçe.
Top Channel