Babai i vrasësit të Tuluzës padit Francën

11/06/2012 19:30

Babai i Mohamed Merah, radikalit islamik që vrau shtatë persona përpara se të qëllohej për vdekje nga policia në Tuluzë, nisi zyrtarisht një padi për “vrasjen e paligjshme” të djalit të tij.

Një avokat i Mohamed Benalel Merah, me banim në Algjeri, u shpreh se padia i është drejtuar atyre që dhanë urdhërin për të qëlluar në sferat më të larta të policisë.

Merah u qëllua brenda banesës së tij në jugun e Francës pas 32 orësh rrethimi.

Ai kishte pranuar vrasjen e shtatë personave, përfshi tre fëmijë hebrenj, në një fushatë urrejtje racore që tronditi të gjithë vendin.

Babai i tij deklaroi që pas ngjarjes së 22 marsit se kishte si qëllim të padiste Qeverinë Franceze për përdorim të tepruar dhune.

Sipas tij, Merah nuk përbënte më një kërcënim në momentin kur u vra nga policia, prandaj forcat e rendit janë përgjegjëse për përdorim të tepruar dhune, që shkaktoi edhe vdekjen e islamistit.

Top Channel