Siri, drejtuesi i ri i opozitës

10/06/2012 00:00

15 muaj nga fillimi i krizës siriane, kur ende nuk ka asnjë shpresë për fundin e dhunës në vend, grupi kryesor opozitar vendosi të ndryshojë lidershipin e të zgjedhë si president një aktivist të minoritetit kurd.

Këshilli Kombëtar Sirian caktoi Abdul Baset Sieda-n, i lindur në Siri, por aktualisht me banim në Suedi, si udhëheqësin e tij të ri. Zgjedhja e Siedas konsiderohet gjerësisht një përpjekje për të bashkuar fraksionet e ndryshme etnike të Sirisë. Megjithatë, Këshilli në vetvete është ende një bllok i paplotësuar opozitar, i cili përfaqëson vërtet grupe të ndryshme, por nuk flet për të gjithë.

Përmes lëvizjes së fundit, organizata mund të përpiqet ndoshta të konsolidojë mbështetjen e kurdëve, por mjaft analistë e shohin vendimin e saj me skepticizëm sepse mendojnë që në këtë pikë, pak rëndësi ka përkatësia etnike apo faktori minoritet. Ajo çfarë duhet të shohim, thonë ata me bindje, është veprimi në terren dhe ecja përpara.

Me dhjetëra shtete e kanë njohur Këshillin Kombëtar si përfaqësuesin legjitim të opozitës siriane, edhe pse një pjesë e mirë e anëtarëve të lidershipit të tij janë mërgimtarë. Pavarësisht kësaj, presidenti Bashar Al-Assad vazhdon ta refuzojë  negocimin me anëtarët e opozitës të influencuar nga jashtë.

Manovrat politike pak kanë arritur të zbusin situatën në terren apo të fashisin raportet për gjakderdhje. Sulmet e ripërtërira mbi bastionin anti-qeveritar të Homsit vetëm gjatë ditës së sotme morën tre jetë të tjera njerëzish. Mes viktimave ishte dhe gazetari Khaled Baker, themelues i qendrës mediatike të Baba Amerit.

Dhuna pason një tjetër valë episodesh të përgjakshme për Sirinë, kur në mbarë vendin janë vrarë 96 vetë sipas aktivistëve, shifër kjo të cilën qeveria e vendos në 57.

Top Channel