Sërish tritol në Fushë-Krujë

10/06/2012 00:00

Rreth 20 persona, banorë të fshatit Zallë, u shoqëruan në polici në lidhje me shpërthimin e fundit të eksplozivit në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë.

Si rezultat i këtij shpërthimi u dëmtua porta e jashtme e derës së fabrikës dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar. Ekspertët anti-eksploziv dhe grupi hetimor që kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë përcaktuar se autorët kanë përdorur rreth 200 gram lëndë eksplozive për të realizuar këtë shpërthim.

Drejtoria e Policisë e Qarkut të Durrësit bëri të ditur se shpërthimi u regjistrua rreth orës 23.05 të së shtunës dhe se gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës shoqëroi rreth 20 persona për të zbuluar më tepër për këtë ngjarje.
 
Ky është sulmi i dhjetë me eksploziv në dy vitet e fundit, me qëllim dëmtimin e fabrikës së çimentos. Linja hekurudhore, shtylla të tensionit të lartë, ura, si edhe muret rrethuese të saj kanë qenë objektivi i shpërthimeve të eksplozivit në seri.

Sulmet arritën kulmin ku një muaj më parë u ekzekutua Anuar Rizik, një prej drejtuesve të lartë të fabrikës në shtëpinë e tij në Tiranë.

Top Channel