Masa ndaj emigracionit

10/06/2012 00:00

Qeveria britanike paraqet planet e reja të luftës kundër emigracionit të cilat praktikisht ashpërsojnë tej mase bashkimet familijare.

Nëse je shqiptar që ke shtetësinë britanike dhe dëshiron të martohesh me një shtetase nga vendi yt ose një të huaj tjetër që të vijë e të jetojë me ty në Britani, këtej e tutje burri ose gruaja me shtetësi britanike do duhet të ketë të ardhura që minimalisht kapin shifrën e 20 mijë sterlinave në vit.

Ndërsa nëse ka fëmijë të lindur që dëshirojnë të bashkohen me babain ose nënën me shtetësi britanike, shifra shkon mbi 30 mijë e më shumë në varësi të numrit të fëmijëve. Praktikisht ka një numër shumë të madh shqiptarësh nga Shqipëria dhe Kosova që janë shtetas britanikë ose kanë familjet e tyre në vendet e origjinës ose dëshirojnë të krijojnë familije, të cilët do duhet të demonstrojnë se kanë të ardhura të tilla për të sjellë pjesën tjetër të familjes në Britani.

Në bazë të ligjeve të reja koha e provës së një lidhjeje të qëndrueshme martesore nga dy vjet do zgjatet në pesë vjet për të shmangur martesat e rreme. Këto masa ndërmerren për të penguar abuzimet me përfitimet dhe ndihmat sociale që jep shteti britanik në momentin që vjen dhe jeton zyrtarisht në këtë vend.  

Në këto plane pritet të ashpërsohen edhe ligjet për deportimin e personave të dënuar për krime në Britani të cilët përdorin ligjet e të drejtave të njeriut dhe asaj të familijes për të shmangur largimin e tyre nga territori britanik.

Shtypi i sotëm përmend edhe rastin e dy vrasësve shqiptarë të deportuar përpara dy javësh. Njëri prej tyre Riza Vatoci, 41-vjeçar i cili kishte vrarë në Krujë në 1996 dhe pritet të vuajë 15 vjet burg në Shqipëri. Vatoci i ka kushtuar 200 mijë sterlina shtetit me ndihmat dhe shpenzimet legale edhe pse kishte shtetësi britanike.
 

Top Channel