Vriten 4 ushtarë francezë në Afganistan

09/06/2012 00:00

Qeveria e Francës ka njoftuar se katër ushtarë francez janë vrarë dhe
pesë të tjerë janë plagosur në një sulm në lindje të Afganistanit.

Rebelët talebanë kanë deklaruar se një atentator i tyre vetëvrasës kreu sulmin ndaj një autokolone të NATO-s në provincën e Kapisës.

Presidenti Francois Hollande u shpreh se ndan hidhërimin e tij me atë të familjarëve të ushtarëve të vrarë në krye të detyrës. “E gjithë Franca është prekur nga kjo tragjedi”, tha ai.

Pas zgjedhjes së tij muajin e kaluar, Hollande njoftoi se trupat luftarake franceze do të largohen nga Afganistani brenda vitit 2012, dy vjet para tërheqjes tërësore të NATO-s.

Dhuna është rritur në vend në javët e fundit, me guerrilasit talebanë që po sulmojnë si trupat afgane ashtu edhe 130 mijë trupat e huaja që ndodhen atje.

Autoritetet afgane deklaruan se atentatori vetëvrasës iu afrua trupave franceze i veshur me një burkë dhe më pas u hodh në erë duke u marrë atyre jetën.

Franca është vendi i pestë më i madh që kontribuon në misionin ISAF, me afërsisht 3300 ushtarë. Rasti i sotëm e çon në 87 numrin total të francezëve të vrarë që prej 2001-shit.

Top Channel