Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se në të ardhmen
pavarësia e vendit të tij do të njihet edhe nga Rusia e Kina.

Në një fjalim të mbajtur në Qendrën Komëtare të Shtypit në Tokio, Thaçi ka shprehur gjithashtu bindjen se njohjet do të vijnë edhe nga pesëshja e BE-së që deri tani nuk e ka bërë këtë.

“Rusia, duke menduar se po e ndihmon Serbinë, por bën tërësisht të kundërtën. Po ngadalëson integrimet evropiane dhe progresin e saj”, ka thënë Thaçi.

Sipas raportimeve të “RTK”, gjatë fjalimit të tij kryeministri ka folur edhe për planet politike dhe ekonomike të Kosovës, jo vetëm në vend por edhe në mbarë rajonin.

Ai ka theksuar se Kosova është e gatshme të presë investitorët e huaj dhe është shprehur i inkurajuar nga interesi i sipërmarrësve japonezë.

“Unë kam ftuar kryeministrin, kryetarin e Parlamentit, ministrat dhe agjencitë e ndryshme të ekonomisë që ta vizitojnë Kosovën dhe jam i inkurajuar nga gatishmëria e tyre”, ka shtuar Thaçi.

Qëllimi i vizitës së Thaçit në superfuqinë ekonomike të Azisë ishte kërkimi i investimeve. Më herët ai u takua me homologun Yoshihiko Noda, me të cilin ra dakord për forcimin e lidhjeve ekonomike.

Thaçi falenderoi Nodan për mbështetjen që Japonia i ka dhënë Kosovës që prej fundit të luftës së vitit 1999, ndërsa shprehu solidaritetin e popullit kosovar pas fatkeqësive natyrore që goditën ishujt japonezë në 2011-ën.

Top Channel