" /> ">

Siri, ushtria vazhdon masakrat

09/06/2012 00:00

Ushtria siriane vrau 17 persona, mes të cilëve fëmijë dhe gra në qytetin jugor të Deraa-s, në kufi me Jordaninë. Aktivistët thanë se bombardimet nisën pak pas lutjes së të premtes dhe i përcaktuan si “histerike”.

Në shënjestër të sulmit ishte një lagje e banuar, një prej qendrave më aktive të rezistencës kundër regjimit të presidentit sirian, Bashar Al-Assad.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se në të gjithë vendin të premten u vranë 44 civilë, gjysma e tyre në provincen e Homsit dhe pjesa tjetër në periferi të Damaskut. Raportoi gjithashtu edhe për 25 ushtarë të vrarë në pesë provinca të Sirisë.

Vëzhguesit e OKB-së vizituan Kubair-in ku u vranë 78 persona mes të cilëve fëmijë dhe gra. Sipas zëdhënëses së misionit monitorues të OKB-së, ata po përpiqen të hedhin dritë mbi rrethanat e kësaj ngjarje si dhe përcaktuan numrin e saktë të viktimave.

Gazetari i BBC-së Pol Danaher që shoqëroi vëzhguesit të premten në fshatin Kubair e përshkroi shokuese gjendjen në fshat. Ai raportoi për shkrumbimin e të gjitha shtëpive dhe erën e rëndë të trupave të djegur.

Aktivistët fajësojnë milicinë “Shabiha” për ekzekutimet, ndërsa për qeverinë siriane prapa kësaj masakre fshihet dora e grupeve terroriste.Në arën diplomatike, Rusia dhe Kina vazhdojnë të përsërisin njëzëri kundërshtimin për një “ndërhyrje ushtarake” nga jashtë, por Moska mund të pranojë një tranzicion pushteti të ngjashëm me Jemenin.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Moska do të mbështesë cfarëdo zgjidhje që sjell paqe, që i jep fund konfliktit, por kjo zgjidhje duhet të merret nga palët në konflikt në Siri, e jo nga ndërkombëtarët.

“Nëse sirianët vendosin, jo nën presioni ndërkombëtar, se presidenti Assad duhet të largohet, ne jemi dakord. Por vazhdojmë ta konsiderojmë si të papranueshme cdo zgjidhje që kushtëzohet nga presioni ndërkombëtar. Konflikti në Siri duhet të marrë fund nga vetë sirianët”, deklaroi kryediplomati rus.

Edhe Uashingtoni u shpreh i gatshem, per te punuar me ruset per daljen nga skena te presidentit sirian.

Ndërkohë, organi drejtues i Këshillit Kombëtar Sirian, konsideruar gjërësisht si organizmi më i madh i opozitës anti-Assad, mblidhet në një takim dy-ditor në Stamboll nga ku do të dalë emri i udhëheqësit politik të opozitës në rrëzimin e Assad.

Zgjedhjet mbahen pas dorëheqjes së Burhan Burhan Ghaliun, një sociolog i mbështetur nga Vëllazëria Muslimane. Kandidati kryesor është Abdulbaset Sieda, disidenti sirian me origjinë kurde që jeton prej vitesh në Suedi.

Top Channel