Reforma shëndetësore, kritika Obama-s

09/06/2012 16:50

Reforma në shërbimin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara është një ndër shtyllat kryesore të programit qeverisës së presidentit Obama, i cili në nëntor do të kërkojë një tjetër mandate në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Por kjo reformë ka hasur në kundërshtimin e fortë të repulikanëve dhe kompanive gjigante amerikane të prodhimeve farmaceutike. Për gjetur një rrugë të mesme, sipas New York Times, presidenti Obama po afrohet me kompanitë e prodhimit të barnave mjekësore dhe lobit të tyre në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e tyre për reformën shëndetësore.

NYT ka hedhur hije dyshimi tek presidenti Obama, duke e kritikuar atë për afrimin me kompanitë prodhuese farmaceutike e duke e akuzuar se po “shet” shtresat që nuk kanë mundësi të blejnë barnat për shkak të çmimeve të larta.

Si për të plotësuar argumentin e saj, gazeta njujorkeze shkruan se presidenti Obama, në përpjekje për të marrë mbështetjen e “industrisë së drogës”, bllokoi një propozim për uljen e çmimeve të barnave mjekësore.

Në fakt reforma shëndetësore ka përfunduar në dyert e Gjykatës Supreme Amerikane. Kundërshtarë të saj e quajnë një paketë “komuniste” dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Tashmë mbetet në dorë të gjykatës të vlerësojë nëse paketa ligjore e përgatitur nga administrata Obama është në përputhje me Kushtetutën apo jo.

Top Channel