Programi bërthamor, Irani: Gati për bisedime

09/06/2012 19:15

Megjithëse ende nuk ka një datë zyrtare, përfaqësuesi iranian i programit bërthamor, pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Berthamore, u shpreh i bindur se palët do të bien dakord për të inspektuar bazën ushtarake të Parchin.

Në këtë bazë ushtarake, Perëndimi dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore pretendojnë se fshihen sasitë e uraniumit të pasuruar në nivele të mjaftueshme për ndërtimin e një bombe bërthamore.

“Bisedimet do të vazhdojnë. Data dhe detaje të tjera rreth këtyre bisedimeve do të bëhen publike në ditët në vijim”, deklaroi Ali Asghar Soltanieh, përfaqësues i përhershëm i Teheranit në ANEB.

Irani dhe grupi 5+1 zhvilluan pa rezultat dy raunde bisedimesh të mbajtura në Stamboll dhe Bagdad. Në të dy këto takime, palët nuk ranë dakord me njëra-tjetrën. Perëndimi kërkon më shumë transparencë nga Irani për programin e tij bërthamor, ndërsa Teherani mbron të drejtën për pasurimin e uraniumit duke shtuar se qëllimet e tij janë paqësore dhe jo për ndërtimin e një arme bërthamore.

Ndërkohë, në një lëvizje krejt të papritur, Irani njoftoi se ka vënë në dispozicion 20 milion dollarë për mbikqyrjen e të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe. Agjencia gjysmështetërore e lajmeve, FARS njoftoi se “vëzhguesit” iranianë do të hartojnë raporte për respektimin e të drejtave të njeriut si dhe kushtet në të cilat jetojnë të burgosurit, sidomos në burgun e Guantanamos.

Teherani akuzon Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara se me ndërhyrjet në vende  të pavarura si Irani, synojnë të zhvendosin vëmendjen nga shkelja e lirive të njeriut në vendet e tyre.

Top Channel