Ndotja, “sherr” SHBA-Kinë

09/06/2012 16:05

Smogu dhe cilësia e ajrit është “molla” e radhës në sherrin diplomatik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Prej disa muajsh, Ambasada Amerikane në Pekin, vëzhgon cilësinë e ajrit duke publikuar në faqen e saj zyrtare dhe në faqe të tjera në internet të cilat i shpëtojnë censurimit, rezultatet nëse ajri është i përshtatshëm për shëtitje me biçikletë, për nxjerrjen e fëmijëve, apo rrezikshmëria e tij është aq e lartë sa është më mirë të rrish mbyllur në shtëpi.

Sipas matjeve të ambasadës amerikane, në shumicën e ditëve, ajri i Pekinit është mjaft i rrezikshëm, me prani të madhe të grimcave të dëmshme të plumbit.

Por nisma e selisë diplomatike amerikane është kritikuar fort nga autoritetet kineze. Ministri i Mjedisit, Wu Xiaoqing deklaroi se Uashingtoni po shkel Konventën e Vjenës në lidhje me marrëdhëniet diplomatike.

“Vëzhgimi dhe shpërndarja e të dhënave mbi cilësinë e ajrit në Kinë u takon vetëm autoriteteve. Ambasadat po shkelin Konventën e Vjenës, përvecse po shkelin ligjet e Republikës Popullore të Kinës”, tha ministri, Xiaoqing.

Organizata dhe shoqata globale të mbrojtjes së mjedisit njohin Kinën si vendin më të madh të ndotjes së mjedisit dhe ka kërkuar nga qeveria kineze politika të ashpra miqësore me ambientin.

Por Pekini zyrtar justifikohet duke deklaruar se Kina është një vend në zhvillim e sipër dhe politikat mbrojtëse të mjedisit nuk janë të përshtatëshme pasi ngadalësojnë rritjen ekonomike të vendit.

Top Channel