“Moody’s” paralajmëron Evropën

09/06/2012 00:00

“Zhvillimet e fundit në Spanjë dhe Greqi mund të çojnë në një rishikim të normave të interesit në shumë vende të eurozonës”.

Kështu thotë agjencia e njohur e kreditimit “Moody’s”, sipas të cilës rreziku i daljes së Greqisë nga zona e monedhës së përbashkët kërcënon ekzistencën e euros.

“Problemet e sistemit bankar spanjoll janë pjesërisht specifikë e vetë vendit dhe me shumë mundësi nuk përbëjnë një motiv të rëndësishëm infektimi për vendet e tjera, veç Italisë”, ka deklaruar agjencia.

Ndërkohë, shefja e FMN-së, Christine Lagarde ka paralajmëruar kontinentin e vjetër se ndodhet në një “bypass” dhe u ka bërë thirrje liderëve që të veprojnë menjëherë për të zbutur krizën.

“Krerët politikë të BE-së duhet të hartojnë sa më parë një “road map” për të çuar në fund punën që kanë bërë deri tani”, ka deklaruar Lagarde.

“Nuk mjaftojnë vetëm objektivat 5 apo 10-vjeçarë, por duhen aksione për javët dhe muajt e ardhshëm”, ka nënvizuar më tej ajo.

Ndërkohë, Fondi dhe Banka Qendrore Evropiane kanë vlerësuar bashkarisht se sistemit bankar spanjoll i duhen të paktën 40 miliardë euro për të qenë i mbrojtur nga një përkeqësim eventual i krizës ekonomike.

Kjo, pasi nëse institutet më të mëdha tregojnë se kanë kapital të mjaftueshëm, shumë banka të tjera mbeten të cënueshme, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të Madridit.

Top Channel