Kontrolli në kufinjtë e BE-së

09/06/2012 01:30

Ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian ndryshuan me unanimitet bazën ligjore të Mekanizmit të ri të Vlerësimit dhe Vëzhgimit të Shengenit.

Duke përjashtuar Parlamentin Evropian nga vendimmarja në të ardhmen, vendet anëtare kërkojnë të ruajnë ekskluzivitetin e rivendosjes së kontrolleve në kufij, në rastet kur një vend ndihet i kërcënuar nga valë emigrantësh e azilkërkuesish.

“Pati marrëshje në Këshill në lidhje me mekanizmin e ri të vlerësimit, falë të cilit do të mund të sigurojmë vëzhgimin e përputhshmërisë me rregullat e Shengenit. E di që ky propozim ka alarmuar Parlamentin Evropian. Dua t’ju kujtoj se në fund të ditës, do të jenë vendet anëtare ato të cilat do të vendosin për vënien apo rivendosjen e kontrolleve në kufinj”, tha Morten Bodskov, Ministër drejtësie, Presidenca Daneze e BE.

Lajmin e dha e para, nga brenda takimit, Komisionerja Malmstrom, e cila nuk fshehu zhgënjimin e saj as gjatë konferencës për shtyp. Ndërsa Parlamenti Evropian e cilësoi këtë vendim si “deklaratë lufte” nga ana e Këshillit.

“Në lidhje me këtë ne si Komision kemi shprehur zhgënjimin e tonë. Nuk është një propozim aq ambicioz sa e dëshironim. Pra ne jemi të zhgënjyer pasi propozimi nuk garanton një sistem vëzhgimi me bazë evropiane”, theksoi Cecilia Malmstrom, Komisionere evropiane për çështjet e brendshme.

“Përbën një provokim vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave të çështjeve të brendshme mbi një paketë ligjore mbi të cilën kemi punuar sëbashku. Ministrat ndryshuan bazën ligjore, të cilën e kanë në dorë, meqë vendimi ishte unanim. Ne e marrim këtë si një shprehje të përbashkët mosbesimi nga Këshilli ndaj Parlamentit, e kështu Këshilli nuk mund të presë që ne do t’i besojmë. Është një gabim serioz institucional”, tha Martin Schulz, President i Parlamentit Evropian.

Para se të hyjë në fuqi, mekanizmi që lindi në një kohë me liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen, pritet t’i kalojë sërish për konsultime Parlamentit Evropian. Nëse nuk arrihet marrëveshje brenda afatit të konsultimeve të fundit që kanë mbetur sipas procedurës, Parlamenti ka kërcënuar se do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Top Channel