Kinë, bie treguesi i çmimit për konsum

09/06/2012 09:30

Në Kinë treguesi i çmimeve për konsum ka zbritur në tre për qind në muajin maj, duke treguar kështu një ngadalësim të inflacionit.

Në prill, treguesi në fjalë ishte rritur në bazë vjetore në 3.4 për qind. Të dhënat janë publikuar të shtunën nga zyra qëndrore e statistikave në Pekin.

Më herët gjatë muajit, Kina reduktoi normën bazë të interesit për herë të parë që prej vitit 2008, në një përpjekje për të stimuluar rritjen ekonomike në kontraktim.

Norma bazë e interesit u reduktua me 0,25 pikë, duke u vendosur tashmë në nivelin e 6,31%. Banka Popullore e Kinës shkurtoi edhe interesin për depozitat, nga 3,5 në 3,25%.

Një lëvizje e tillë fiskale inkurajon investitorët dhe bankat e nivelit të dytë që të shpenzojnë më shumë dhe të japin kredi me norma më të ulta, në të njëjtën kohë që ç’inkurajohet depozitimi.

Më parë gjatë majit, Pekini zyrtar vendosi të vonojë zbatimin e disa normave më të forta fiskale, nga frika se mund të largojë kreditorët.

Kjo paketë e re rregullash, që do të hyjë në fuqi në janarin e vitit të ardhshëm, detyron bankat që të rrisin normat e parave të ngrira për garantimin e depozitave.

Top Channel