Itali, tjetër lëkundje në verilindje

09/06/2012 00:00

Nuk kanë të ndalur tërmetet në Itali. Një lëkundje me magnitudë 4.5
ballë e shkallës Rihter është regjistruar në orën 04:04 të së shtunës në
veri-lindje të vendit, në provincat Beluno e Pordenone.

Epiqendra është lokalizuar në Friuli, në 7.1 kilometra thellësi dhe tërmeti nuk është pasuar nga lëkundje të tjera mbi 2.5 ballë.

Sipas raportimeve të mediave italiane, tërmeti është ndjerë kryesisht në komunat paraalpine të rajonit të Venetos.

Pak para orës 02:50 dhe në 03:51 u ndjenë dy lëkundje të tjera, por me intensitet më të ulët, përkatësisht 2.4 dhe 2.1 ballë, në rajonin e Emilias, në zonat e qytetit të Modenës të shkatërruara nga tërmetet e 20 dhe 29 majit.

Tërmetet kanë shkaktuar panik tek banorët, por jo dëme. Ekspertët e institutit sizmologjik kanë deklaruar se lëkundja në Emilia dhe ajo në rajonin e Venetos nuk kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën.

Sipas ekspertëve, dyshohet se lëkundjet vijnë nga lëvizja e pllakës së Adriatikut, që përbën edhe pikën më juglindore të pllakës afrikane, që duke u zgjatur përfshin bregun lindor të Italisë dhe Adriatikut.

Në këtë lëvizje të përgjithshme është pllaka afrikane që shtyn drejt veriut, kundrejt pllakës euro-aziatike, dhe më pas pllaka e Adriatikut zbret nën Alpe.

Ndërsa tre ditë më parë një tjetër tërmet me magnitudë 4.5 ballë u verifikua në orën 06.08 në veri të Italisë, duke prekur zonat e Ravenës, Çervias dhe Alfonsinës.

Top Channel