Deputeti grek i neo-nazistëve të “Agimit të Artë” që u bë protagonist pas dhunës së ushtruar kundër dy kolegeve deputete të së majtës në një studio debati televiziv, nuk është penduar për gjestin e tij.

Ilias Kasidiaris pretendon se ka patur një marrëveshje mes dy deputetëve, asaj të Syriza-s dhe deputetes komuniste, për ta provokuar atë deri sa të humbiste kontrollin.

Nëpërmjet një deklarate të lëshuar nga faqja zyrtare e internetit të partisë neo-naziste greke thuhet se “episodi ishte planifikuar për të nxitur dhunë nga ai”.

Skandali u regjistrua gjatë një debati politik në studiun televizive të ATN1 në Greqi, kur politikanë të spektrit politik grek ishin të ftuar për të paraqitur para elektoratit platformat e tyre qeverisëse në prag të zgjedhjeve të 17 qershorit.  

Ndërkohë, në Athinë u zhvilluan protesta kundër ekstremistëve të djathtë, protesta që morën shkas nga dhuna e deputetit Ilias Kasidiaris i cili është shpallur në kërkim nga policia greke. Vendndodhja e tij ende mbetet një mister.

Top Channel