Në kohën kur Kosovës i duhen njohjet e pavarësisë nga shtete që ende nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë, kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, priti të premten vizitorë të veçantë. Parlamentarët aktualë të Sllovakisë, 4 prej tyre ish ministra, erdhën në Kosovë, pavarësisht se ky shtet është në mesin e 5 shteteve të Bashkimit Europian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi shfaqi para tyre dëshirën që edhe Sllovakia ta njohe pavarësinë e Kosovës.  

Përveç kësaj, Krasniqi informoi sllovakët se në Kosovë të gjithë jetojnë të lirë, pavarësisht dallimeve etnike apo fetare, dhe ia kujtoi edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Martin Fedor, ish ministër i mbrojtjes dhe aktualisht deputet në Sllovaki, tregoi se qëllimi i vizitës është më shumë një “vizitë studimore” për të kuptuar situatën e krijuar në Kosovë, ndërsa nuk përmendi nëse Sllovakia do ta njoh Kosovën.

“Ne mund ta kuptojmë situatën në të cilën gjendeni  ju tani, kemi kaluar dicka te ngjashme gjate punes per krijimin e shtetit te ri, ndertimit te institucioneve te reja. kemi pasur dhe akoma kemi nevojë që të merremi me çështjet e pakicave, e ky eshte nje subjekt i rendesishem për vendin tonë. Mendoj se nëse duam të shohim përsepktivën e BE-së për Kosovën atëherë po kështu do të donit të shihnit stabilitetin regjional, raportet e mira fqinjësore me fqinjët tuaj që është një ndër parakushtet për një integrim të suksesshëm në BE. Por që do të tregonte suksesin, progresin e jetës në vendin tuaj”, tha Martin Fedor, Deputet nga Sllovakia, ish-Ministër i Mbrojtjes.

Pas kësaj kryeparlamentari Krasniqi tha se Kosova ka marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, me përjashtim të Serbisë, e cila nuk shpreh gatishmëri në këtë drejtim. Sidoqoftë, pjesë e delegacionit sllovak ishin edhe analistë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave.

Top Channel