Banka Botërore jep 7 milionë euro më shumë kundrejt 30 milionë sa i kishte planifikuar Qeveria e Kosovës.

Pra, janë gjithsej 37 milionë euro që janë derdhur në buxhetin e Kosovës, të premtuara më parë nga Banka Botërore, dhe sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, shuma në fjalë plotëson grandin prej 62 milionë euro që Kosova ka përfituar.
 
Hamza ka thënë se një prej parakushteve për përfitimin e këtyre parave ka qenë edhe ruajtja e stabilitetit makro-fiskal, plotësimi i të gjitha parakushteve, relacionet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe, sipas tij, të gjitha këto janë plotësuar.
 
Ai duke i vlerësuar si shumë të nevojshme paratë e dhëna nga BB-ja, ka shtuar se në bordin e kësaj banke është aprovuar strategjia katërvjeçare, që pritet të realizohet në mes saj dhe Kosovës, e cila vlerësohet rreth 176 milionë euro.
 
“Përveç disbursimit të këtyre mjeteve për buxhetin e Kosovës që sigurisht se kanë impakt pozitiv në zhvillimet ekonomike në Kosovë, në rritjen ekonomike të Kosovës, në ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal dhe nivelit bankar, Kosova ka negociuar dhe është aprovuar në bordin e Bankës Botërore edhe strategjia e re katërvjeçare që për herë të parë me Bankën Botërore kemi strategji katërvjeçare dhe pesha e kësaj marrëveshje për katër vitet e ardhshme vlerësohet që të jetë rreth 176 milionë euro”, tha Bedri Hamza, Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Kosovë.

Ndryshe, lidhur me rritjen ekonomike, ministri Hamza ka thënë se vlerësimet për vitin 2011 për rritje ekonomike 5% përputhen, ndërsa sipas tij të gjithë indikatorët janë që rritja ekonomike për vitin 2012 do të jetë rreth 5 përqind.

Top Channel