Vizita në Paris, Rama dhe bashkëshortja e tij priten për darkën zyrtare nga presidenti Macron
Qeveria shqiptare po përgatitet për të hedhur hapa konkretë për zgjerimin e tregut të gazit të lëngshëm në vendin tonë.
Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Nasip Naço deklaroi se me përparësi po shihet përdorimi i gazit të lëngshëm për prodhimin e energjisë elektrike.
“Në kapacitetet e mundshme gjeneruese që do të përdorin si lëndë djegëse gazin është TEC-i i Vlorës me një kapacitet prej 97 megavat, që punon si me lëndë djegëse të lëngët ashtu dhe me gaz. Janë dhe projektet që kanë të bëjnë me rikonstruksionin e TEC-it të Fierit duke përdorur si lëndë djegëse gazin, por edhe projekti për ndërtimin e një TEC-i në burimin e Delvinës që administrohet nga kompania Stream Oil Gas”, tha ministri Naço.
Një tjetër aspekt është përfshirja e Shqipërisë në projektet e gazsjellësve trans-europian.
“Zhvillimi i projekteve të gazsjellësve është një tjetër objektiv i sektorit shqiptar të energjisë. Në këtë kuadër mund të përmendim projektet që do të lidhin burimet e Kaspikut e Lindjes së Mesme me tregun europian përmes Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë. Unë dua të përmend dy projektet më të rëndësishme të gazit për rajonin tonë, projektin e gazsjellësit trans-Adriatik, apo projekti Tap, si dhe projekti tjetër, gazsjellësi Joniano-Adriatik, projekti IAP”, tha ministri i METE-s.
Deklaratat e Naços u bënë gjatë seminari “Inicitiva-Gaz për Prodhim të Energjisë Elektrike” ku merrnin pjesë përfaqësues nga IFC, Banka Botërore dhe projekti TAP.
Top Channel