“Skrapi i Azotikut”, lirohen të arrestuarit

08/06/2012 00:00

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier vlerësoi me masë detyrim për paraqitje tre nga katër të arrestuarit në Operacionin e “Skrapi”.

Drejtori i Azotikut, Ferdinand Doksani ka lënë dhe një garanci pasurore prej një milion lekë. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, vjedhje në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë detyra publike.

Sotiraq Llazi, 57 vjec, me detyrë magazinier, Ali Liçaj 62 vjeç, me detyrë përgjegjës i rojeve si dhe drejtori Ferdinand Doksani u lanë me detyrim paraqitjeje.

Një ditë më parë organi i akuzës kishte tërhequr akuzën e vet ndaj  juristit të ndërmarrjes së Azotikut, Julian Hoxha dhe ky i fundit është lënë i lirë në sallën e gjyqit.

Katër personat përfunduan në pranga nga policia e Rrethit të Fierit pas operacionit të koduar “Skrapi” ditën e martë.

Skandali i shkrirjes së Azotikut të Fierit është publikuar fillimisht në shtator të 2011-ës nga Top Channel, ku tregohet se si mijëra ton metale u zhdukën me shpejtësi nga uzina e re e uresë që punoi vetëm pak muaj.

“Fiks Fare” denoncoi me pamje vjedhjn galopante e sasisë së metaleve dhe transportimin e saj drejt Metalurgjikut të Elbasanit ku shkrihej nga kompania “Kurum”. Shkrirjes i parapriu një tender i anuluar nga Agjencia e Prokurimeve. Por pavarësisht se tenderi u anulua, autoriteti shitës ka lidhur një kontratë në dukje me kompaninë “Kurum International”.

Në fakt mësohet se persona të tjerë kanë shfrytëzuar dokumentet e kësaj kompanie për të blerë skrap me cmim disa herë më të ulët se sa ai që presupozohet që “Kurum” ua blen personave që në fakt janë shfrytëzuesit realë të kontratës së skrapit.
 

Top Channel