Obama: Europës i duhen vendime të vështira

08/06/2012 17:35

Presidenti amerikan Barack Obama e ka drejtuar sërish gishtin tek kontinenti i vjetër, duke deklaruar se liderët evropianë duhet të marrin vendime të vështira për të nxjerrë eurozonën nga kriza.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, zoti Obama tha se Amerika do ta mbështesë Evropën në implementimin e zgjidhjeve të vështira që duhen për t’i dhënë fund krizës së gjatë të borxheve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara vlerësoi se një reçesion i ri dhe i thellë në Evropë do të kishte një impakt të fortë tek ekonomia amerikane, që vlerësohet të jetë ende e brishtë.

“E ardhmja e Greqisë në eurozonë është një çështje që u takon grekëve, por ata do të përballen me vuajtje të tjera nëse vendosin të heqin dorë nga euroja”, u shpreh Obama.

Duke e vënë theksin tek “hapat specifikë” që Evropa duhet të marrë për të siguruar stabilitetin në eurozonë, presidenti nuk harroi të thoshte se nuk do t’i “tërheqë veshin” BE-së.

Zoti Obama tha se liderët Evropiane duhet të stabilizojnë sistemin financiar të kontinentit dhe të injektojnë kapitale tek bankat e dobëta sa më parë të jetë e mundur.

“Zgjidhjet janë të vështira, por janë zgjidhje. Shtetet e Bashkuara po ofrojnë këshilla, por vendimet janë tërësisht në duart e liderëve evropianë”, vijoi presidenti.

Ndër të tjera, ai përsëriti thirrjen drejtuar Kongresit amerikan që të kalojë pjesën e mbetur të planit të tij të punës, në mënyrë që të përforcojë ekonominë amerikane kundrejt tronditjeve që mund të vijnë nga Evropa.

Top Channel