Ministrat britanikë bojkotojnë Euro 2012

08/06/2012 04:15

Ministrat e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar kanë vendosur të bojkotojnë ato ndeshje në grup që Anglia do të luajë në Ukrainë gjatë kampionatit evropian të futbollit.

Ky veprim ashtu sic parashikohej vjen në shenjë proteste për mbajtjen në burg nga autoritetet vendase të udhëheqëses së opozitës Julia Timoshenko.

Anglia do të luajë të treja ndeshjet e grupit të saj në Ukrainë, nga të cilat dy në Donetsk dhe një në Kiev.

Kombet e tjera të BE-së, duke përfshirë Gjermaninë, Holandën dhe Austrinë kanë kërcënuar me bojkotimin e turneut që Ukraina organizon së bashku me Poloninë.

Ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe tha se sporti dhe politika nuk përzjehen dhe shqetësimet për një cështje duhet të ngrihen në rrugë të tjera.

Zonja Timoshenko ka luajtur një rol kyç në “Revolucionin Portokalli” në vitin 2004 dhe pretendon se burgosja e saj, për korrupsion të supozuar, është një akt hakmarrje politike nga ana e presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Autoritetet kanë hedhur poshtë akuzat e zonjës Timoshenko. Ajo u dënua me shtatë vjet burg në tetor, për abuzim me pushtetin gjatë kohës së saj si kryeministre.

Top Channel