Patriarku serb, Irinej, gjatë qëndrimit në Zagreb ka dërguar mesazhe paqeje dhe ka bërë thirrje për përmirësim të marrëdhënieve.

Kroatët katolikë dhe serbët ortodoksë, për shkak të marrëdhënieve të këqija për shkak të luftës, nuk kanë pasur shumë qëndrime pozitive as ndaj fesë.

Megjithatë, vizita e Irinej është e para e kreut të kishës ortodokse, në të cilën janë takuar edhe krerët e shtetit kroat dhe nuk ka pasur incidente apo mesazhe të tensionuara. Ndërsa roli i kishës serbe në vitet e luftës ka pasur reputacion të keq.

Irinej është pritur nga presidenti Ivo Josipoviç dhe kryeministri Zoran Milanoviç, të cilët e kanë vlerësuar vizitën e patriarkut si një akt të mirë për të arritur paqe.

“Bisedat dhe dialogu janë të rëndësishëm për paqe dhe mirëkuptim”, ka thënë presidenti Josipoviç. Ndërsa patriarku ka thënë se kjo vizitë është mënyrë për të treguar vullnet për një jetë të përbashkët.

“Ka shumë gjëra të mira sa i përket gjendjes së serbëve dhe të kishës në Kroaci që duhet mbështetur. Por, si gjithandej ka edhe problem që me një vullnet të mirë mund të zgjidhen”, ka thënë Irinej.

“Kroacia është vend i qytetarëve të barabartë që kanë identitetet e tyre dhe ne e respektojmë këtë”, ka thënë nga ana tjetër kryeministri Milanoviç. Irinej ka takuar edhe përfaqësuesit e kishës katolike.

Top Channel