Gazetari i BBC raporton nga Kubairi

08/06/2012 20:50

Gazetari i BBC-së, Paul Danahar, që udhëtoi me vëzhguesit e OKB-së në Kubair ku u vranë 78 persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë, raportoi se gjithçka ishte shkrumbuar në fshatin e vogël, në afërsi të Hamas.

Ai kishte parë njolla gjaku dhe kishte ndjerë erën e rëndë të trupave të djegur. Aktivistët thonë se forcat pro-qeveritare arriten të largonin disa prej trupave të ekzekutuar, ndërsa të enjten vëzhguesve iu pengua hyrja në fshat, madje u përdorën armë kundër tyre.

Milicia shabiha, nën akuzë për vrasjet në Kubair, vjen nga pakica alavite e presidentit sirian Bashar Al Asad. Viktimat janë kryesisht sunitë, që përbëjnë shumicën e popullsisë siriane.

Analistët i frikësohen shndërrimit të Sirisë si Libani, ku dhuna sektare vazhdoi për dekada. Gjatë një konference për shtyp, në Kombet e Bashkuara, Ban Ki Moon paralajmëroi për rrezikun real dhe të mundshëm të një lufte me përmasa të plota.

Megjithëse plani i Annan mbetet, ai kërkoi bisedime urgjente për mënyrën se si do të shkohet më tej. I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe nënvizoi se dokumenti gjashtëpikësh nuk është zbatuar dhe po nxit krijimin e një grupi kontakti të vendeve kyçe, të cilat do të shtojnë presionin për t’i dhënë fund dhunës.

Si Kina dhe Rusia kanë bllokuar dy herë rezolutat e Këshillit të Sigurimit kundër Sirisë dhe kanë shprehur kundërshtimin për ndërhyrje ushtarake. Dhuna nuk ndalet në Siri. Raportohet për bombardimin e Homsit.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, përmes një deklarate tha se janë regjistruar 5 deri në 10 predha në minutë. Kryqi i Kuq paralajmëron se mbi 1 milion e gjysmë banorë kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Top Channel