Francë, socialistët në ankth përpara zgjedhjeve

08/06/2012 08:20

Partia Socialiste në Francë është në prag të regjistrimit të një fitoreje në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por formimi i një koalicini qeverisës mund të rezultojë më i vështirë nga sa parashkohet, për shkak të mosmarrëveshjeve me aleatët ambientalistë dhe përfaqësuesit e së majtës radikale.

Sipas sondazheve parazgjedhore, socialistët pritet që pas fitores së Hollande në zgjedhjet presidenciale, të renditen të parët edhe në zgjedhjet e 10 dhe 17 qershorit.

Megjithatë, në javët e fundit diferenca me kundërshtarët kryesorë ka ardhur në zvogëlim dhe pritet që diferenca me partinë e ish-presidentit Nicolas Sarkozy, të jetë prej vetëm 1-2%.

Konkretisht, parashikohet që të majtët të sigurojnë 32% të votave, por “UMP” mundet ende të rikuperojë në dy ditët e ardhshme dhe të sigurojë një fitore të papritur.

Nëse kjo do të ndodhë, presidenti Francois Hollande do të ishte i detyruar të shkarkonte nga detyra kryeministrin e sapozgjedhur, Jean-Marc Ayrault dhe të zgjidhte një tjetër kryeministër nga radhët e “UMP”-së.

Një koalicion me të djathtën është ajo që socialistët duan të shmangin me çdo kusht, por sidoqoftë, bashkëpunimi me partinë e gjelbërt dhe radikalët e majtë, sipas mediave franceze parashikohet gjithsesi i vështirë.

”Besojmë se rezultati do të jetë shumë i ngushtë”, shpjegoi Eric Bonnet, drejtori i qendrës së sondazheve “BVA”. “Socialistët, në çdo rast nuk ka gjasa të sigurojnë një shumicë të plotë vetë, prandaj ata duhet të përgatiten për një bashkëekzistencë të vështirë në një qeveri koalicioni”.

Në këto kushte, rruga e Partisë Socialiste Franceze drejt pushtetit pritet të përcaktohet nga aftësia për të bindur aleatët dhe koncensionet brenda të njëjtit spektër politik, në të shkuarën kanë treguar se destabilizuar ndjeshëm koalicionin.

Top Channel