Afganistan, NATO kërkon falje për civilët

08/06/2012 16:10

Komandanti i trupave ndërkombëtare në Afganistan ka kërkuar falje për vdekjet e civilëve në sulmet ajrore në provincën jugore të Logarit.

Është hera e parë që NATO ka pranuar se civilë kanë humbur jetën në sulmet e së mërkurës, që kishin si objektiv disa komandantë talebanë.

Autoritetet afgane deklaruan se 18 civilë mbetën të vrarë në këtë incident. Presidenti afgan Hamid Karzai e dënoi sulmin duke e cilësuar atë si “të pajustifikueshëm”.

Ndërkohë, komandanti i NATO-s, John Allen udhëtoi të premten në Logar për t’u shprehur ngushëllimet e tij banorëve të fshatit dhe liderëve lokalë.

Sipas agjencisë “Associated Press”, gjenerali u kërkoi atyre falje dhe u premtoi se do të ndihmojë familjet e viktimave.

“E di që asnjë falje nuk mund të kthejë në jetë fëmijët apo njerëzit që humbën jetën në këtë tragjedi dhe në këtë incident, por dua që ta dini se ju kërkoj falje dhe se ne do të bëjmë gjënë e duhur me familjet”, deklaroi Allen.

Liderët tribalë dhe autoritetet në provincën e Logarit thanë më herët për BBC se komandantët talebanë ishin mbledhur në shtëpinë, në një fshat të largët në rajonin Baraki Barak.

Komanda e misionit të NATO-s në Afganistan tha se trupat afgane dhe ato të ISAF u ndodhën nën zjarr pasi rrethuan shtëpinë, pavarësisht se u bënë thirrje talebanëve që të dorëzoheshin.

Top Channel