Presidentja e Argjentinës: Braktisni dollarin

07/06/2012 16:10

Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, deklaroi të enjten se do të kalojë të gjithë kursimet e saj personale nga dollarë në monedhën pesos, ndërsa i kërkoi qytetarëve që të bëjnë të njëjtën gjë.

Në një intervistë në një televizion, de Kirchner u shpreh se është duke kaluar llogarinë e saj të vetme kursimi të mbetur në dollarë në monedhën vendase pesos, ndërsa bëri thirrje që veprimi i saj të ndiqet nga të gjithë ata që kanë depozita në monedhë të huaj, në mënyrë që të ndihmojnë ekonominë vendase.

Për shkak të inflacionit të lartë, zyrtarisht 9,8%, por realisht deri në 25% në vit, shumë argjentinas zgjedhin të grumbullojnë të ardhurat e tyre në monedha të huaja, kryesisht në dollarë amerikanë.

Gjithashtu, në kujtesën kombëtare është ende i freskët kolapsi financiar i fillimit të viteve 2000, kur me miliona argjentinas humbën kursimet e një jete, për shkak të falimentimit në masë të disa bankave kryesore në vend.

Buenos Airesi, në mënyrë që të jetë i mbrojtur nga inflacioni, një pjesë të madhe të buxhetit të tij kombëtar e konverton në dollarë, por së fundmi qeveria ka marrë disa masa për të luftuar këtë fenomen dhe për të rivlerësuar pesosin.

”Kam patur një depozitë kursimi në dollarë prej disa kohësh, por kam vendosur ta kaloj në pesos, pasi është më fitimprurëse kështu”, deklaroi de Kirchner.

Aktualisht, qeveria e Fernandez është duke ndjekur një politikë të theksuar nacionaliste, që ka ngjallur kritika dhe reagime të ashpra jashtë vendit.

Përpara thirrjes për të braktisur dollarin, Buenos Airesi ka hapur rihapur konfliktin e gjatë prej disa dekadash me Britaninë e Madhe në lidhje me sovranitetin e ishujve Falklands, në zotërim britanik ndonëse ndodhen shumë pranë Argjentinës dhe ka fituar kritika të ashpra në lidhje me vendimin për shtetëzimin e një firme spanjolle hidrokarburesh, më parë gjatë vitit.

Top Channel