Panetta: Me Pakistanin po na sos durimi

07/06/2012 00:00

Uashingtonit po i sos durimi me Pakistanin për shkak të parajsave të
talebanëve që janë krijuar në këtë vend, ka deklaruar sekretari amerikan
i Mbrojtjes, Leon Panetta.

Nga Kabuli, ku mbërriti për një vizitë të paparalajmëruar, Panetta tha se Islamabadi duhet të veprojë kundër rrjetit militant Hakani, që sulmon trupat e NATO-s të vendosura në Afganistan.

I ndodhur në kryeqytetin afgan një ditë pas sulmit që u mori jetën 22 personave në jug të vendit, shefi i Pentagonit do të diskutojë për këto sulme me autoritetet lokale dhe komandantin e ISAF, John Allen.

“Po arrijmë në limitet e durimit tonë këtu”, deklaroi zoti Panetta lidhur me Pakistanin, i cili nga ana e tij i hedh poshtë akuzat e bëra nga Uashingtoni zyrtar.

Panetta nënvizoi se rrjeti militant Hakani, që dyshohet se bazën më të madhe e ka në Pakistan, në zonat tribale veri-perëndimore, është përgjegjës për sulmet më të guximshme të kryera në territorin afgan në vitet e fundit.

Sekretari i Mbrojtjes ndodhet në Kabul për të biseduar me krerët ushtarakë për sulmet e rritura ndaj trupave aleate nga guerrilasit talebanë. Ai është takuar tashmë me ministrin afgan të Mbrojtjes.

Ditën e mërkurë, atentatorë vetëvrasës vranë mbi 20 civilë në një zonë në afërsi të bazës së NATO-s në Kandahar, ndërsa autoritetet afgane thanë se 18 civilë u vranë nga një sulm ajror i NATO-s në provincën e Logarit.

Top Channel