Pas një vizite intensive dy ditore në Shqiperi dhe takimeve me personalitete të larta të qeverisë, deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Përfaqësuesja e OSBE-së për Median Dunja Mijatoviç, në një konferencë për shtyp  ka sjellë një panoramë të plotë të botës mediatike në Shqipëri dhe problemet e mprehta me të cilat po përballet media dhe gazetarët e një vendi në tranzicion.

Mijatoviç është ndalur tek pavarësia që duhet të ketë autoriteti rregullator dhe Radiotelevizioni Shqiptar, në një kohë kur po kërkohet të bëhet dixhitalizimi.

“Pa një transmetues publik dhe një rregullues transmetimesh të pavarur financiarisht do të jetë e pamundur të krijohet një mjedis ku media të jetë e lirë dhe e gjallë. Është nevoja të reformohet RTSH dhe KKRT në mënyrë që ato të mbrohen nga ndikimi politik si dhe të sigurojnë financimin e tyre, sidomos tani kur Shqipëria po i drejtohet dixhitalizimit”, deklaroi përfaqësuesja e OSBE-së për median, Dunja Mijatoviç.

Zonja Mijatoviç tha se në takimin që ajo ka patur me kryeministrin Berisha, ai i ka deklaruar se për qeverinë e tij, liria e mediave është prioritet.

“Mirëpres deklaratën e kryeministrit Berisha sipas të cilit liria e medias është një nga prioritetet e qeverisë së tij. Unë do ta ndjek këtë angazhim të kryeministrit dhe sigurisht që do ta kujtoj nëse ka një lëvizje në drejtim të kundërt. Në fakt është e nevojshme të kuptohet se media duhet t’i shërbejë publikut dhe jo biznesit apo politikanëve”, shtoi zonja Mijatoviç.

Por gazetarët në Shqipëri e kanë të vështirë të marrin informacione në shumë institucione, edhe pse ata gëzojnë të drejtën e informimit, një e drejtë që ua jep ligji për informim. Zonja Mijatoviç, tha se ky ligj, si dhe shumë të tjerë nuk zbatohet në Shqipëri.

“Mendoj që ligji për informim është shumë i mirë, por edhe si shumë ligje të tjera nuk zbatohet fare. Ekziston nevoja për zbatimin e këtij ligji, jo vetëm për gazetarët, por edhe për publikun”, deklaroi përfaqësuesja e OSBE-së për Median.

Një pikë e rëndësishme është edhe reklama shtetërore e shpërndarë në mënyrë klienteliste vetëm në disa televizione. Përfaqësuesja e OSBE-së për Median tha se ky është një fakt fare lehtë i konstatueshëm dhe nuk ka nevojë për shumë burime zyrtare, pasi është e dukshme.

“Nuk ka nevojë për burime pasi është diçka që duket. Unë kam folur me autoritete të ndryshme dhe zyra jonë bën analiza. Është e dukshme që reklamat shtetërore shtojnë në media të caktuara dhe unë u kërkova autoriteteve të bëjnë një ndarje të hapur dhe transparente”, vlerësoi zonja Mijatoviç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB