Merkel: Të krijohet unioni politik

07/06/2012 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se Bashkimit Evropian i duhet
një politikë unifikuese, edhe nëse kjo do të thotë se disa vende mund të
integrohen para të tjerave.

Duke folur për televizionin gjerman, ajo bëri thirrje për “më shumë Evropë”, duke përfshirë një union buxhetor dhe duke nënvizuar se: “duhet një union politik sa më parë të jetë e mundur”.

“Hap pas hapi ne duhet të fillojmë të heqim dorë nga disa kompentenca që i takojnë Evropës dhe t’i mundësojmë Evropës më shumë fuqi kontrolli”, deklaroi Merkel.

Këmbëngulja e zonjës Merkel për masat anti-krizë dhe disiplinën buxhetore ka acaruar shumë evropianë, të cilët thonë se politika e saj po mbyt rritjen ekonomike dhe po konsolidon borxhet në vendet periferike të BE-së, si Greqia dhe Spanja.

Spanja duhet të gjejë të paktën 80 miliardë euro për të siguruar bankat e saj, të cilat po luftojnë për mbijetesë për shkak të kredive të këqia.

Ministri spanjoll i Financave ka deklaruar se tregjet e kredive janë “efektivisht të mbyllura” në vendin e tij, por deri tani Madridi ka shmangur kërkesën drejtuar BE-së për ndihmë.

Ditën e mërkurë, Komisioni Evropian hartoi një plan për “unionin bankar” të eurozonës, i cili mund t’u lehtësojë vendeve në vështirësi aksesin tek financat e BE-së.

Në intervistën e saj televizive, Merkel ritheksoi se konsolidimi i buxhetit dhe rritja ekonomike janë dy anë të së njëjtës monedhë.

“Pa financa solide nuk ka rritje, por vetëm financat solide nuk janë të mjaftueshme. Ka edhe pika të tjera, si për shembull konkurrenca”, u shpreh Merkel.

Kancelarja mbetet e rezervuar përsa i përket idesë së kthimit të borxheve të eurozonës në eurobonde, pavarësisht kërkesave në rritje, edhe nga Komisioni Evropian, që një proçes i tillë të realizohet.

Top Channel