Itali, bomba në shkollë, pranga të dyshuarit

07/06/2012 08:55

Policia italiane ka arrestuar një të dyshuar për bombën që shpërtheu muajin e kaluar në një shkollë të qytetit të Brindizit, ku një vajzë 16-vjeçare humbi jetën.

Agjencia e lajmeve “Ansa” raportoi se i dyshuari është një 68-vjeçar, punonjës i një pike karburanti, që mund të ketë armiqësi me drejtorin e shkollës “Morvilo Falcone”.

Një bombë e kontrolluar në distancë shpërtheu kur dyert e shkollës u hapën pasi kishin mbërritur nxënësit për të hyrë në të. Adoleshentja Melissa Bassi mbeti e vrarë ndërsa 5 nxënës të tjerë u plagosën.

Pas dyshimeve të para që sugjeronin se shpërthimi mund të kishte lidhje me mafian apo terrorizmin, policia ka deklaruar se autori kishte vepruar për motive private.

Sipas “Ansa”, që citonë zyrtarët më të lartë të policisë italiane, drejtori i shkollës kishte dhënë mësim në qytetin nga vinte i dyshuari, Leçe.

Autoritetet shtojnë gjithashtu se për të arritur në zbardhjen e ngjarjes janë marrë në pyetje 1.400 persona dhe kanë kryer të paktën 32 kontrolle në banesa dhe ambjente të tjera.

Megjithatë, ngre dyshime ndryshimi i papritur i pistës së ngjarjes, që nga vetë drejtuesit më të lartë të organeve hetimore të vendit fqinj, fillimisht u cilësua si “terrorizëm i pastër”.

Ngjarja ndodhi 4 ditë para 20-vjetorit të vdekjes së prokurorit të antimafias, Giovanni Falcone, gjë që ngriti dyshimet se shpërthimi mund të ishte i lidhur me mafian.

Top Channel