Elbasan, ‘arrest shtëpie’ pedagogut

07/06/2012 00:00

“Arrest Shtëpie” është masa e dënimit që ka dhënë Gjykata e Elbasanit
për pedagogun e matematikës, Pëllumb Kllogjeri, i cili u arrestuar disa
ditë më parë nën akuzën “Korrupsion Pasiv i Personave që Kryejnë
Funksione Publike”.

Prokurori i çështjes Alfred Shehu ka kërkuar masën “arrest me burg” për 61-vjeçarin, pasi vepra penale që ai ka  kryer prish imazhin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Por trupi gjykues, i kryesuar nga Ramazan Avdia ka vendosur, që i akuzuari  të qëndrojë  në ‘arrest shtëpie’, deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Nga ana e tij i pedagogu Pëllumb Kllogjeri ka deklaruar se zarfet e vendosura në fletoret e studentëve janë vendosur pa dijeninë e tij dhe se asnjëherë në jetën e tij profesionale ai nuk ka kryer asnjë akt korruptiv në detyrën që kryente. Ai ka kërkuar që çështja të hetohet me ndershmëri.

Në sajë të operacionit të koduar “ Zarfi”, Policia e Elbasanit vuri në fillim të muajit në pranga, pedagogun e matematikës në Universitetin e Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, 61-vjeçarin, Pëllumb Kllogjeri.

Sipas policisë, Kllogjeri është arrestuar në flagrancë, duke u marrë para studentëve në këmbim të notës kaluese në lëndën e matematikës që ai jepte pranë këtij universiteti prej disa vitesh. 

Shuma që Kllogjeri kërkonte në këmbim të notës, ishte nga 10 mijë lekë të reja deri në 100 Euro. Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar një sasi parash prej 70 mijë lekësh të reja, të ndara në zarfe me nga 10 mijë lekë në secilin dhe në një tjetër 100 Euro.

Valbona Begu, Zëdhenëse e Policisë së Elbasanit tha se pedagogu i Matematikës hetohej prej disa muajsh nga policia, por si pasojë e mungesës së provave materiale, nuk mund të bëhej arrestimi i tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB