Cunami, moli japonez gjendet në Amerikë

07/06/2012 09:55

Një mol i madh nga një port japonez që u godit nga cunami i 11 marsit të vitit të kaluar është gjetur në shtetin amerikan të Oregonit, 8.050 kilometra përtej Paqësorit.

Moli i gjatë 20 metra dhe që peshon 165 tonelata u lokalizua në një plazh në jug-perëndim të Portlendit.

Një zyrtar i konsullatës japoneze deklaroi se një pllakë metalike tregonte se moli kishte ardhur nga porti i Misauas.

Kontrollet për radiacion rezultuan negative, por shkencëtarët deklarojnë se elementë të tjerë nga Japonia dhe jo vetëm mund t’i jenë ngjitur objektit gjatë lundrimit.

Një yll deti nga Japonia ishte mes gjallesave të jetës detare që ishte ngjitur me strukturën, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane. “Këto gjallesa janë jo vetëm nga Japonia, por edhe nga nga vetë cunami”, deklaruan autoritetet.

Ndërkohë, policia e Oregonit është vendosur rreth molit për të ndaluar afrimin e banorëve, të cilët në fillim menduan se ishte një varkë.

Porti i Misauas humbi katër mole gjatë tërmetit që shkaktoi tsunamin e 11 marsit 2011, dy prej të cilëve janë gjetur, ndërsa dy të tjerët jo.

Top Channel