Cameron: Jo vetëm Gjermania

07/06/2012 08:15

Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se nuk mund të pritet që Gjermania të zgjidhë e vetme krizat që kanë përfshirë vendet e eurozonës, pasi kërkohen një sërë masash nga vetë këto vende.

Duke folur përpara një takimi me kancelaren Angela Merkel ditën e enjte, Cameron deklaroi se asnjë lider nuk duhet të përjashtohet nga përgjegjësitë e tij.

Duke folur nga Oslo, ku ka zhvilluar takime me homologun norvegjez Jens Stoltenberg, kryeministri britanik deklaroi se “shpejtësia është çelësi” i përballjes me krizën.

“Çdo ditë ekonomitë evropiane po bllokohen dhe shanset po zhduken, mirëqënia është zbehur dhe mund të bien edhe vendet e punës. Prandaj na duhet që t’i vëmë ekonomitë në lëvizje”, tha Cameron për gazetarët.

Deklarata e kryeministrit britanik erdhi pasi Spanja refuzoi sërish rekomandimet se bankat e saj, të ndodhura në vështirësi, mund të kenë nevojë për mbështetje nga jashtë.

Ndërkohë, në një bisedë telefonike të zhvilluar mbrëmjen e së martës me presidentin Barack Obama, zoti Cameron ra dakord për nevojën e një “plani imediat” për stabilizimin e zonës së monedhës së përbashkët.

Ky plan duhet të ketë si qëllim ringjenerimin e besimit tek tregjet financiare, se vendet e prekura nga kriza mund të mbështesin bankat dhe të paguajnë borxhet e tyre.

“Plani duhet të risjellë besimin në tregjet financiare dhe të elaborojë një strategji afagjatë për të garantuar një monedhë të përbashkët të fortë”, u shprehën njëzëri dy liderët.

Top Channel