Spanja mohon nevojën për kredi madhore

06/06/2012 15:30

Ministri spanjoll i Ekonomisë hodhi poshtë spekulimet se vendi është në prag të kërkimit të një huaje madhore, si rrjedhojë e defiçitit të madh të financave shtetërore.

Luis de Guindos, në një konferencë për shtyp gjatë të mërkurës, u shpreh se nuk ka asnjë bazë në lidhje me spekulimet për huamarrjen e afërt. Ai shtoi se asnjë vendim nuk do të merret deri në përfundimin e auditit të bankave, në fund të qershorit.

Në ditët e fundit, zërat se Madridi do t’i drejtohet BE-së me një kërkesë për një kredi madhore ishin bërë gjithmonë e më të shpeshtë.

Guindos i bëri deklaratat e tij nga Brukseli, ku më parë ishte përfolur se ai kishte udhëtuar për t’u marr vesh për termat e një kredie me BE-në dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

”Nuk kam diskutuar sot për asnjë ndërhyrje në sistemin banker spanjoll”, deklaroi Guindos. “Për më tepër, dua të bëj të qartë se nuk jemi duke përgatitur asnjë kërkesë huamarrje, pasi ne kemi një plan të qartë veprimi dhe masat e kursimit që po ndërmarrim janë duke dhënë efekte të qarta”.

Deklarata e ministrit të Ekonomisë sollën rrjedhoja të menjëhershme në Bursën e Madridit, ku disa prej kompanive kryesore të kuotuara arritën fitime prej më shumë se 3% në vetëm pak orë.

Top Channel