SHBA, shqetësim për gjendjen në Kaukaz

06/06/2012 21:00

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, shprehu “shqetësmin e saj të thellë” për përplasjet kufitare, ndërsa vazhdon vizitën e saj zyrtare në dy ish-Republikat Sovjetike të Kaukazit, në Armeni dhe Azerbajxhan.

Duke folur në Baku, pasi më parë takoi krerët e shtetit armen në Jerevan, Clinton paralajmëroi “për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, çka mund të sjellë rrjedhoja të pamendueshme dhe katastrofike për të dy vendet”.

Duke iu drejtuar presidentit autoritar Ilham Aliyev, Clinton kërkoi që “cikli i dhunës dhe i hakmarrjeve të marrë fund në mënyrë të menjëhershme”.

Pesë ushtarë azerë dhe tre armenë mbetën të vrarë në dy sulme të ndryshme gjatë javës.

Të dy shtetet u përfshinë në një konflikt të përgjakshëm në lidhje me krahinën e pretenduar nga të dy shtetet të Nagorno-Karabakhut, në vitet 1990.

Konflikti midis Armenisë dhe Azerbjaxhanit lindi pas shembjes së Bashkimit Sovjetik dhe deri në arritjen e një armëpushimi në vitin 1994, më shumë se 30 mijë persona nga të dyja palët mbetën të vrarë.

Që prej atëherë, krahina e Nagorno-Karabakhut ka gëzuar një autonomi të gjerë, ndonëse është formalisht pjesë e Azerbajxhanit.

Top Channel