SHBA mbron bombardimet në Pakistan

06/06/2012 16:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, mbrojti përdorimin e avionëve të telekomanduar në Pakistan, dy ditë pasi një bombardim i tillë vrau numri dy të Al-Kaedës, Abu Yahya al-Libi.

Në një konferencë për shtyp gjatë vizitës në Indinë fqinje me Pakistanin, Panetta bëri të qartë se “SHBA do të vazhdojë të mbrojë veten nga rreziku i terrorizmit kudo që të jetë ai në botë”.

Ditën e martë, Islamabadi zyrtar thirri të ngarkuarin amerikan me punë në ambasadë për të shprehu “shqetësimin e thellë” në lidhje me sulmet e avionëve të telekomanduar.

Gjatë dy javëve të fundit janë realizuar tetë sulme nga avionët e quajtur “dronë”, pavarësisht kërkesave të Pakistanit për ndërprerjen e kësaj praktike, që sipas qeverisë shkel të drejtën e sovranitetit të vendit.

Pakistani gjithashtu pretendon se sulmet e telekomanduara ndikojnë në përforcimin e urrejtjes ndaj amerikanëve në rradhët e popullsisë, në të njëjtën kohë që bëhen burim për humbjen e jetëve të civilëve.

Uashingtoni i mohon këto akuza, duke këmbëngulur se bombardimet përbëjnë një mjet efikas në luftën kundër terrorizmit botëror.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë e konsideroi vdekjen e al-Libit si një goditje tepër të rëndë për Al-Kaedën. “Nuk ka asnjë, që as afërsisht të zëvendësojë atë nivel ekspertize që organizata humbi me vdekjen e numrit të saj dy”, deklaroi një burim zyrtar.

Top Channel