Sarandë, “luftë” me trafikantët e drogës

06/06/2012 21:30

Policia e Sarandës ka sekuestruar mbi 400 kilogramë drogë të llojit kanabis sativa e cila po përgatitej të trafikohej për në Greqi.

Operacioni u ndërmor në orët e mbrëmjes së të mërkurës në fshatin Çiflig. Forca të shumta policore, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë nisur kërkimin për dy persona të dyshuar si transportues të sasisë së konsiderueshme të hashashit.

Pasi kanë parë policinë, dy personat kanë qëlluar me armë zjarri në ajër dhe janë arratisur në drejtim të kufirit grek. Uniformat blu mundën të sekuestrojnë 405 kg hashash që ishte e fshehur në një bunker në fshatin Çiflig e më pas janë vënë në ndjekje të dy transportuesve të saj të ndihmuara nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Kalimi i kufirit grek prej dy trafikantëve vuri në lëvizje edhe policinë greke e cila u njoftua më parë nga policia shqiptare. Në dy anët e kufirit nisi një operacion i gjërë për kapjen e trafikantëve të armatosur, gjueti e cila vazhdon ende.

Top Channel