Rusia dhe Kina: Jo ndërhyrjes në Siri

06/06/2012 18:55

Rusia dhe Kina ripërsëritën edhe njëherë fuqishëm vendimin e tyre kundër një ndërhyrjeje ushtarake ndërkombëtare në Siri, pavarësisht se opozita vendase raportoi për të paktën 40 civilë të vrarë në dy ditët e fundit.

Siria ishte në qendër të bisedimeve mes presidentit kinez, Hu Jintao dhe atij rus, Vladimir Putin i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Pekin.

“Të dy presidentët kundërshtojnë cdo përpjekje për të zgjidhur krizën siriane me anë të ndërhyrjeve ushtarake nga jashtë, si dhe përpjekjet për të ndryshuar me forcë autoritetet qeverisëse në Siri, nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe forumeve të tjera ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e publikuar nga të dy presidentët.

Hu Jintao dhe Putin ritheksuan edhe njëherë qendrimin e tyre se situata në Siri duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut politik dhe bënë thirrje për uljen e armëve, si nga rebelët, ashtu dhe nga forcat qeveritare.

“Ne besojmë fuqimisht se situate në Siri duhet të zgjidhet paqësisht dhe palët duhet të ulin armët e të ulen në tryezën e dialogut, pa ndërhyrje nga jashtë. I bëjmë thirrje qeverisë siriane të ulë armët dhe të nisë dialogun sa më parë që të jetë e mundur me grupet opozitare si dhe të bëjë përpjekjet maksimale për normalizimin e situatës dhe rikthimin e rendit dhe ligjit në vend”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy presidentëve.

Deklarata ruso-kineze vjen në një moment kur liderët e Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara po rrisin presionin ndaj presidentit sirian, Bashar al Assad për të ndalur dhunën 15 mujorë që ka përfshirë vendin, duke shkaktuar mbi 12 mijë viktima mes civilëve.

Ndërkohë, sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve, presidenti rus, Vladimir Putin vlerësoi se ato janë në një shkallë të shkëlqyeshme, por ka hapësira për përmirësime të mëtejshme, sidomos në sektorin ekonomik ku shkëmbimet tregtare mes dy vendeve përllogariten në rreth 84 miliard dollarë.

Top Channel