Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç do të presë të enjten në Beograd krerët ilegalë të komunave veriore të Kosovës.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, të cilat citojnë kryetarin ilegal të komunës së Mitrovicës, Kërstmir Pantiç.

Sipas burimeve, në qendër të bisedimeve pritet të jenë zhvillimet e fundit politike në Kosovë, në veçanti ajo në veri që së fundmi është tensionuar sërish.

Burimet shtojnë se pjesëmarrësit e tjerë përveç Pantiç në këtë takim do të jenë krerët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.


Nikoliç u betua në fund të majit
përpara Parlamentit serb dhe nisi zyrtarisht mandatin e tij 5-vjeçar në krye të Beogradit zyrtar. Ai fitoi zgjedhjet presidenciale të 20 majit përballë ish-presidentit Boris Tadiç, që kërkonte mandatin e tij të tretë presidencial.

Po në fund të majit Nikoliç deklaroi se nuk kishte ndërment të niste një konflikt të armatosur për veriun e Kosovës. Ai shprehu bindjen se në këtë drejtim do të ketë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, pasi në të kundërt do të krijoheshin shumë probeme në rajon e më gjerë.

Pas aksionit të fundit të KFOR-it, të ashtuquajturit kryetarë të komunave në Veri të Kosovës kanë intensifikuar thirrjet dhe kërcënimet ndaj banorëve serbë me qëllim mbrojtjen  e barrikadave me të gjitha mjetet.

Ata kanë ftuar banorët e moshës 20 deri në 50 vjeç të jenë në gjendje gatishmërie për mbrojtjen e barrikadave në momentin që lëshohet alarmi i rrezikshmërisë.

Top Channel