Egjipt, Mubarak në gjendje të rëndë

06/06/2012 15:55

Shëndeti i ish-liderit egjiptian Hosni Mubarak po përkeqësohet dhe ai ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Kështu bën të ditur agjencia e lajmeve “Mena”, sipas të cilës është kërkuar transporti i Mubarak nga spitali i burgut të Torës drejt një spitali ushtarak.

Sipas burimit mediatik, ish-presidenti i është nënshtruar frymëmarrjes artificiale për pesë herë në orët e fundit dhe vuan nga hipertensioni, shok nervor dhe depresion akut.

Një ekip mjekësor, i përbërë edhe nga kardiologë, është thirrur për të kontrolluar gjendjen e tij shëndetësore, saktëson më tej “Mena”.

Bashkëshortja e tij, Suzanne ka kërkuar transferimin e tij në një strukturë ushtarake, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Mubarak u shtrua të shtunën në spitalin e burgut të Torës, pas dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen e mbi 800 protestuesve gjatë revolucionit.

Mediat zyrtare kishin raportuar për një problem shëndetësor të ish-presidentit kur nodhej në bordin e helikopterit që po e transportonte në burg menjëherë pas vendimit.

Ndërsa në ditët e fundit mediat kanë folur se 84-vjeçari kishte hyrë në një fazë depresive dhe po refuzonte ushqimin, sidomos pas vizitës së dy ditëve më parë të bashkëshortes dhe dy nuseve të djemve të tij.

Ditën e djeshme, autoritetet e burgut i dhanë autorizimin djalit të vogël Gamal, edhe ai i mbyllur në të njëjtin burg, që të transferohej pranë të atit.

Top Channel